Policia e Shkodrës ka arrestuar shtetasin Ylli Ceka për llogari të policisë Tiranës. Ylli Ceka, ish punonjës i FNSH Tiranë është dënuar me 11 vite burg nga gjykata e Tiranës për vrasjen e shtetasit Edvin Vogli në 11 dhjetor të 2010-ës. Vrasja asokohe është kryer me armën e punës nga ish efektivi Ceka. Ai ishte në kërkim pasi gjykata e ka dënuar me 11 vite burg dhe u kap nga policia e Shkodrës teksa lëvizte me një mjet në lagjen “Sarreq”.

Vrasja në 2010-ën ndodhi pas një konflikti ku u perfshinë disa persona për tokën ku ishte ndërtuar një pallat dhe që përfundoi me vrasjen e Edvin Voglit nga autori Ylli Ceka. Arrestimi i këtij shtetasi u bë në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga policia vendore e Shkodrës. Është e paqartë se cila është lidhja e Ylli Cekës me Shkodrën dhe se gjatë gjithë këtyre viteve a ka qenë gjithmonë në këtë qytet apo ka lëvizur edhe në vende të tjera.

Ngjarja e 11 dhjetorit 2010 ndodhi në zonë e “Freskut” në Tiranë, ndërsa shkaku ka qenë një konflikt për tokën ku ishte ndërtuar një pallat. Biznesmeni Gëzim Ceka kishte nënshkruar një kontratë me Petrit Dajtin për të ngritur një pallat në tokën e këtij të fundit, por pas përfundimit të pallatit palët kanë patur shumë konflikte për pjesën që i takonte pronarit të tokës.

Por në 11 dhjetor 2010 rreth orës 14:00, në shtëpinë e Petrit Dajtit ka shkuar dhëndri i tij Julian Pushaj së bashku me shokun e tij Edvin Vogli. Ky i fundit do të merrte më qira një apartament në pronësi të Petrit Dajtit, ndërsa më pas aty kanë shkuar edhe 2 kushërinjtë e Dajtit, Altin Guzja dhe Gentian Kola. Ata kanë shkuar në bodrumin e pallatit për të rikthyer energjinë elektrike që mungonte, por pasi nuk kanë mundur ata kanë tentuar të futen me forcë në apartamentin që pretendohej të ishte i Petrit Dajtit.

Në këtë moment ka filluar një përleshje me vëllezërve Lulzim e Bashkim Ceka dhe të afërmve të Petrit Dajtit, ku Julian Pushaj ka goditur me lopatë njërin prej vëllezërve Ceka. Por menjëherë aty ka ardhur edhe Ylli Ceka, i cili ka goditur me armën e shërbimit duke qëlluar në kokë Edvin Voglin, i cili humbi jetën.

Për këtë vrasje Ylli Ceka u dënua me 11 vite burg, por policia arriti ta arrestonte vetëm mbrëmjen e djeshme pas 11 vitesh në arrati.

Artikulli paraprakSHKODËR, ADEMI: SITUATA KATASTROFË NGA PËRMBYTJET
Artikulli tjetërNËNSHKODËR, PËRKEQËSOHET SITUATA NGA PËRMBYTJET