Policia Vendore e Shkodrës ka zbardhur plagosjen e ndodhur një ditë më parë në fshatin Mushan të njësisë Dajç në Shkodër. Sipas policisë 24 vjeçari Isak Mehmedaj që shkoi në spital i plagosur sipas policisë ka tentuar të fsheh ngjarjen pasi ai dyshohet se ka plagosur veten në mënyrë aksidentale por në dëshminë e tij e ka paraqitur ndryshe duke thënë se e kanë plagosur persona që nuk i njeh. Bashkë me 24 vjeçarin Isak Mehmedaj policia ka arrestuar edhe shtetasin Gledis Mlloja i cili dyshohet se ka ndihmuar 24 vjeçarin e vetëplagosur që të tjetërsojë këtë ngjarje. Në njoftimin e policisë thuhet se “Në vijim të veprimeve të kryera nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e datës 9 tetor 2021, ku në spitalin rajonal shkodër u paraqit për ndihmë mjekësore, i plagosur me armë zjarri 24 vjeçari, Isak Mehmedaj, i cili deklaroi se ishte plagosur me armë zjarri në fshatin Mushan, Shkodër, nga disa persona të paidentifikuara, nga hetimet e thelluara rezultoi se ky shtetas është vetëplagosur në mënyrë aksidentale, me armë zjarri në bark, jashtë rrezikut per jetën. Ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin Gledis Mlloja, kanë fshehur vendin e ngjarjes, kanë inskenuar një variant ndryshe të ngjarjes, duke u përpjekur të ndryshojnë tërësisht rrethanat e ngjarjes, si dhe kanë fshehur provat materiale. Në përfundim të veprimeve hetimore, është arrestuar në flagrancë shtetasi Isak Mehmedaj 24 vjeç, banues ne fshatin Mushan Shkoder, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, u arrestua në flagracë dhe shtetasi Gledis Mlloja, 20 vjeç, banues në fshatin Mushan, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, përfundon policia në njoftimin e saj. 24 vjeçari Isak Mehmedaj shkoi vetë në spital mëngjesin e djeshëm dhe tha se e kishin plagosur persona që nuk i njeh, dëshmi që e dha edhe për policinë duke thënë se plagosja i kishte ndodhur teksa po hidhte mbeturinat në fshat por sipas policisë kjo është e pavërtetë sepse 24 vjeçari është plagosur aksidentalisht dhe ka dashur që ta fshehë këtë ngjarje.