Policia vendore e Shkodrës prej kohësh është vënë në shënjestër sa i përket ngjarjeve kriminale të ndodhura brenda 3 muajsh me 6 të vrarë dhe dy të zhdukur.

Në fakt sot më shumë se kurrë drejtoria vendore e policisë Shkodër ndodhet mes shumë vështirësive për një sërë arsyesh të rëndësishme. Në vend që policia të njohë përmirësime qoftë në organikë por edhe logjistikë me policinë e Shkodrës ka ndodhur e kundërta duke bërë hapa pas.

Burime pranë policisë bëjnë me dije se aktualisht janë 23 oficerë mangut në organikë. Mund të duket një numër jo shumë i madh por në fakt për drejtuesit e policisë është një mungesë e konsiderueshme me 23 oficerë më pak.

Policia e Shkodrës ka nevojë për rritje të numrit të forcave, kjo jo vetëm se nuk ndodh por lihen mangut 23 vende oficerësh.

Një sakrificë e madhe është për efektivët e policisë rrugore të cilët janë të detyruar të qëndrojnë në punë me orare të stërgjatura, gjatë fundjavës si dhe pa marrë asnjë qindarkë më shumë në pagën e tyre.

Prej kohësh ka nevojë që numri i policëve rrugor të shtohet për të mbuluar një drejtori vendore si Shkodra por kjo nuk ka ndodhur. Po ashtu nga drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit Shkodra shihet si një vend internimi kur në fakt duhej të ishte e kundërta.

Specialistët më të mirë shpesh lëvizen drejt qyteteve të tjera ndërsa në Shkodër ndodh që të vijnë efektivë apo inspektor jo me shumë aftësi të mira të cilët nuk janë të përshtatshëm për qytete si Tirana apo Durrësi duke i sjellë në Shkodër.

E gjithë kjo sjell një dëm të madh në punën e policisë së Shkodrës. Për të mos mjaftuar shqetësuese është situata edhe sa i përket logjistikës së forcave të policisë së Shkodrës dhe po ashtu mjeteve të drejtorisë vendore.

Forcat e policisë kanë mangësi të theksuara në logjistikë duke ia vështirësuar punën e tyre dhe duke u detyruar që të punojnë me ato kushte pa ngritur zërin.

E njëjta gjë ndodh me mjetet ku shpesh herë për mungesa policët përdorin makinat e tyre private për të shkuar në vendngjarje ashtu siç mjetet aktuale nuk janë të përshtatshme për punën e policisë.

Disa herë janë dërguar shkresa për këto probleme por deri më tani nuk ka zgjidhje.

 

Artikulli paraprakSHKODËR, INFERMIERËT VAZHDOJNË BRAKTISJEN
Artikulli tjetërADEMI INAUGURON RRUGËN OBLIKË-OBOT