Policia Kufitare e Shkodrës ka goditur një rast të tentativës për trafikimin e lëndëve narkotike duke finalizuar operacionin policor të koduar “Hidrovori” ndërsa janë arrestuar dy shtetas dhe është shpallur në kërkim një tjetër. Në total efektivët kanë sekuestruar 1.5 kilogram kanabis. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit, në kuadër të masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, si rezultat i kontrolleve të shtuara në kufirin e gjelbër, në bashkëpunim dhe me Seksionin për Hetimin e Narkotikeve dhe Trafiqeve në policinë e Shkodrës, kanë finalizuar me sukses operacionin “Hidrovori”,

si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: E. I 26 vjeç, banues në Kukës dhe D. Zh. 19 vjeç banues po ashtu në Kukës si dhe është shpallur në kërkim shtetasi E. D. 23 vjeç, edhe ai banues në Kukës. Në vendin e quajtur “Shina-Hidrovor”, nga punonjësit e Policisë Kufitare, gjatë patrullimeve të shtuara është konstatuar një mjet tip “Ford”, drejtuesi i të cilit, në momentin që ka parë punonjësit e Policisë, ka shtuar shpejtësinë e mjetit duke lëvizur në drejtim të Hidrovorit.

Menjëherë, punonjësit e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit. Shtetasi E. D. braktisi mjetin dhe bashkë me dy pasagjerët tentoi të largohej në zonën e pyllëzuar në teren malor. Shërbimet e Policisë Kufitare u vunë në ndjekje dhe bënë të mundur kapjen e dy pasagjerëve, shtetasit E. I. dhe D. Zh, ndërsa drejtuesi i mjetit mundi të largohej. Shtetasi E. D. u shpall në kërkim dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 1.5 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Në përfundim të veprimeve, nga specialistet për Hetimin e Narkotikeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. I. dhe D. Zh., si dhe sekuestrimi i lëndës narkotike. Këta shtetas janë të dyshuar për veprën penale “Trafikim i narkotikeve”, kryer në bashkëpunim dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Artikulli paraprakSHKODËR, NIS RIKONSTRUKSIONI I RRUGËS “ERNEST KOLIQI”
Artikulli tjetërARDIT QYLYBYLI NËNKRYETAR I BASHKISË SHKODËR