Të majtë e të djathtë, veteran e ish të përndjekur, komunistë dhe antikomunistë u bashkuan fillimisht në ceremoninë e ngritjes së flamurit në 106-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë që u zhvillua në sheshin para bashkisë Shkodër.

Më pas ky rrugëtim i tyre i përbashkët vijoi edhe tek busti i Luigj Gurakuqit ku edhe atje të gjithë bashkë vendosën kurora me lule në nder të kontributit që dha kjo figurë e shquar e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë në çështjen kombëtare.

Programi i bashkisë Shkodër vazhdoi edhe më tutje dhe radha ishte për vendosjen e kurorave me lule tek memoriali i 2 prillit për të vijuar më pas edhe tek disa vende të tjera në nder të dëshmorëve të atdheut.

Ndërsa parakalimi u bë para selisë së PS në Shkodër për të shkuar nga bust ii Luigj Gurakuqit tek memorial ii 2 prillit, aty u bë ndarja e madhe që na shoqëron për gjithë këto vite.

Socialistët, veterenët e LANÇ dhe komunistët i lanë të vetëm kryetaren e bashkisë Shkodër, kreun e PD dhe pjesën tjetër të demokratëve duke shkuar të vetëm tek 2 prilli por më pas edhe tek Isa Boletini, varrezat e Rrmajit apo edhe dëshmorët e atdheut.

Ky grupim që nuk e ndoqi më tutje programin ashtu si vitet e kaluara ka një tjetër program që do të zhvillohet ditën e nesërme me 29 nëntor në kuadër të 74-vjetorit të festës së Çlirimit që përkon me 29 nëntorin e vitit 1944.

Ndryshe nga socialistët dhe komunistët këtë datë ose festë demokratët nuk e njohin ose më saktë e cilësojnë si dita e instalimit të sistemit komunist duke mos e parë si një festë kombëtare.

Kjo dilemë prej vitesh i ndan shqiptarët në dy pjesë shoqëruar kjo me ndasi edhe mes historianëve duke futur në kaos historik mbarë kombin shqiptar.

 

 

Artikulli paraprakSHKODRA FESTON 106 VJETORIN E SHPALLJES SË PAVARËSISË
Artikulli tjetërZBULOHET VULA E SHKODRËS