Policia vendore e Shkodrës ka arrestuar një 37-vjeçar i cili dyshohet se ka tentuar që të shfrytëzojë për prostitucion bashkëjetuesen dhe vajzën e saj. Policia po ashtu ka shpallur në kërkim edhe një shtetas tjetër që dyshohet si bashkëpunëtor i 37-vjeçarit të arrestuar në këtë ngjarje.

Policia Vendore e Shkodrës në njoftimin e saj bën të ditur se ka parandaluar dhe goditur një rast të tentativës për trafikim, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion. Sipas policisë 37-vjeçari me inicialet T.P banues në fshatin Bardhaj të njësisë Rrethina, pjesë e bashkisë Shkodër tentoi të shfrytëzojë për prostitucion ndërmjet mashtrimit, dhunës fizike e psikologjike, bashkëjetuesen dhe vajzën e saj të mitur duke bërë që të vihet në pranga.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Policinë e Shkodrës, pas informacioneve të marra dhe reagimit të shpejtë, arrestuan në flagrancë shtetasin me inicialet T. P. Gjithashtu u shpall në kërkim bashkëpuntori i tij, shtetasi Z. F, 41 vjeç, banues në Shkodër. Sipas policisë shtetasi T. P, në bashkëpunim me shtetasin Z. F., 41 vjeç, nëpërmjet mashtrimit e ka trafikuar bashkëjetuesen, shtetasen L. Gj, në Gjermani dhe ka

ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj, me qëllim që ta shfrytëzonte për prostitucion gjatë kohës që bashkëjetonte me të në Gjermani. Policia shton se shtetasi T. P ka tentuar përsëri për ta trafikuar në Gjermani, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion, këtë shtetase, bashkë me vajzën e saj të mitur, të cilave u kishte marrë dhe pasaportat biometrike.

Në banesën e shtetasit T. P, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale pasaportat biometrike të shtetases L. Gj. dhe të vajzës së saj të mitur. Dy shtetasit dyshohen për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim”.

Artikulli paraprakSTUDENTËT PROMOVOJNË VENDET E SHQIPËRISË
Artikulli tjetërHOT I RI – POSTRIBË, AKSI RRUGOR QË MERR JETË NJERËZISH