19 emra trajnerësh dhe sportistësh ndër vite të ekipeve të ndryshme të Vllaznisë janë dekoruar nga Presidenti i Republikës Ilir Meta me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Këto tituj erdhën në 100 vjetorin e shoqërisë Vllaznia. Ceremonia e rastit u mbajt në teatrin “Migjeni” ku i pranishëm ishte edhe vetë Presidenti Meta.
Presidenti i nisi dekorimin me legjendën e futbollit shkodran dhe atij shqiptar Sabah Bizi për të vijuar me të tjerë emra të mëdhenj si Ramazan Rragami, Hysen Zmijani, Astrit Hafizi, Xhevdet Shaqiri, Fatbardh Jera, Edi Martini, Viorensin Sinani, Mark Kroqi, Lugjino Mjeda,
Pina Haxhi Vuka, Refik Vorfa, Muhamet Sokoli, Sokol Kalaj, Agim Tafili, Rrok Bardeli, Hysni Bebeziqi, Arbana Xhani dhe Asim Belinova. Kryetarja e bashkisë Voltana Ademi falenderoi për kontributin e të gjithë brezave të cilët formësuan Vllazninë e këtyre 100 viteve.
Mbrëmja e dhënies së titujve u drejtua nga regjisori Osman Mula ndërsa u shoqërua edhe me këngëtarë të ndryshëm.
Më përpara Presidenti Meta ishte i pranishëm në bibliotekën e qytetit “Marin Barleti” duke vizituar ekspozitën e hapur për 100 vjetorin e shoqërisë Vllaznia.