Prindërit që kanë fëmijët tek kopshti pranë shkollës 9-vjeçare “Ndoc Mazi” në qytetin e Shkodrës pretendojnë se bashkia Shkodër ka ndërmarrë një vendim për të shkrirë kopshtin aty dhe ata fëmijë të dërgohen në vende të tjera që janë qendra komunitare.

Prindërit janë kundër këtij vendimi dhe zhvilluan një protest duke kërkuar që kopshti pranë shkollës “Ndoc Mazi” të vijojë të jetë aty sepse në vetëm pak kohë rrezikon që edhe vetë shkolla të mbyllet.

Kopshtet e tjera janë shumë larg për prindërit dhe gjyshërit e fëmijëve që aktualisht i kanë tek kopshti pranë shkollës “Ndoc Mazi” dhe për më tepër në vendet ku bashkia kërkon t’i çojë aty do të duhet të paguajnë, gjë për të cilën nuk kanë mundësi. Deri më tani nuk kanë marrë asnjë sqarim.

Kopshti pranë shkollës “Ndoc Mazi” vitin e ardhshëm feston 55-vjetorin e krijimit të tij ndërsa vetë shkolla ekziston që në vitin 1923 dhe një mbyllje e të dyjave do të shkrinte edhe një lloj tradite të arsimit në atë zonë gjë për të cilën komuniteti i prindërve nuk janë aspak dakord.

Artikulli paraprak30 VITE NGA MESHA E PARE
Artikulli tjetërAKSI SHKODËR-HANI HOTIT RREZIK PËR KALIMTARËT