Këshilli bashkiak i Shkodrës miratoi në 31 dhjetor të vitit të kaluar buxhetin e 2020-ës për bashkinë Shkodër në një vlerë prej 24.3 milion euro në total ose rreth 30 miliard lekë të vjetër.
Ky buxhet i cili realisht në një anë mori kritika të ashpra nga një pjesë e këshilltarëve të majtë, ishin po këta që mbyllën njërin sy duke e votuar me 36 vota pro dhe një kundër duke bërë shkuesinë e dytë me kryebashkiaken Ademi teksa e para ishte miratimi i paketës fiskale. Por në fakt çfarë ka në brendësi ky buxhet i cili ndryshe nga më përpara është bërë me programe buxhetore të ndara sipas fushave të ndryshme ndryshe nga vitet e kaluara kur buxheti ishte një labirinth i pafundëm.
Star Plus i ka bërë një detajim këtij buxheti. Një prej programeve buxhetore është mbështetja për zhvillim ekonomik. Edhe pse kanë kaluar 4 vite nga drejtimi i bashkisë nga kryetarja në detyrë Voltana Ademi ende nuk është bërë identifikimi i të gjitha aseteve dhe është e parashikuar në 2020-ën si dhe nxitja e investimeve në këto asete por nuk cilësohet se cilat janë politikat apo edhe aktorët dhe vizioni për këto investime.
Në buxhet pranohet se në Shkodër ka një numër të lartë të papunësh dhe e vetmja zgjidhje që bashkia jep janë disa panaire pune apo agropërpunuese që në fakt nuk zgjidhin asgjë ndërsa mungojnë investimet konkrete për nxitjen e punësimit. Programet që kanë peshën më të rëndë financiare janë të drejtorisë së shërbimeve sociale. Në total 3 prej këtyre programeve shkojnë në mbi 10 miliard lekë të vjetër.
Tek strehimi social thuhet se nuk ka asnjë person të mbështetur ndërsa banesa sociale me kosto të ulët vetëm 20% dhe vetëm 60 jetimë të akomoduar si dhe 26 apartamente sociale ndërkohë që vetëm numri i aplikimeve për banesa sociale me kosto të ulët është 1889 familje kur shumë të tjerëve nuk ju pranohet aplikimi për arsye nga më të ndryshmet. Tashmë prej kohësh është gati qendra multifunksionale tek ish konvikti i shkollës pyjore por edhe godina të tjera që bashkia ka dështuar deri më tani t’i vërë në funksion.
Drejtori i shërbimeve sociale Filip Vila mori akuza direkte nga anëtarët e këshillit për korrupsion dhe abuzime ndërsa askush nuk dha përgjigje. Mbi 360 milion lekë të vjetër është programi për kujdesin social për personat e sëmurë dhe me aftësi të kufizuar por në këtë program nuk ka as investime konkrete për këto shtresa dhe as nxitje punësimi edhe pse kanë nevojë më shumë se kushdo.
Kujdesi social për familjet dhe fëmijët shkon në 10 miliard lekë të vjetër duke përfshirë edhe ndihmën ekonomike. Pavarësisht se bashkia pretendon se ka bërë ndryshime të mëdha, realisht në thelb sa i përket punësimit dhe mirëqënies asgjë nuk ka ndryshuar sepse ka sërish ka numër të lartë të fëmijëve që kanë braktisur shkollën, atyre në situatë rruge dhe qindra familje në kushte ekstreme varfërie.
Menaxhimi i mbetjeve është një tjetër dështim total i bashkisë Shkodër, një program buxhetor që shkon në rreth 2 miliard lekë por që në fakt pastrimi i qytetit, njësive administrative dhe në sezonin turistik në Velipojë apo edhe zonat malore lë për të dëshiruar. 474 milion lekë të vjetër shkojnë vetëm për larje dhe fshirje të rrugëve në një kohë kur akset nuk shihen asnjëherë thuajse duke u larë.
Nuk ka një ndarje të drejtë as tek të ardhurat që sigurohen nga tarifat dhe taksat për mbetjet sepse 730 milion paguajnë familjet dhe 930 milion bizneset prej të cilave 530 milion biznesi i madh dhe institucionet dhe 406 milion biznesi i vogël.
Jo më pak probleme ka tek programi i furnizmit me ujë ku hubmjet në rrjet vazhdojnë të jenë 65% ndërkohë që vetëm 59% e popullatës furnizohet me ujë ndërsa edhe arkëtimet e faturave nuk janë 100% për shkak se jo të gjitha kanë matësa uji për të mos harruar se për 2020 nuk ka investime për rrjetin e ujit në fshatra dhe as qytet përveç një projekti të huaj.
Në vështirësi është edhe transporti publik, i lënë jashtë vëmendjes, pa investime dhe pa subvencione përveç 500 personave ndërkohë që numri i atyre që përfitojnë është më i madh për të mos lënë mënjanë vonesat në linja dhe mbulimin e dobët të qytetit me autobuzë.
I papranueshëm është edhe fakti se në 2020 bashkia Shkodër nuk ka parashikuar asnjë investim për tregje të reja duke vijuar që produktet të shiten në kushte skandaloze. Po ashtu mungojnë projektet që synojnë përmirësimin e mjedisit në 2020. Ndërkohë që mjedisi ka probleme thelbësore, bashkia shkon aq larg sa mendon për efiçencën e energjisë në banesa për reduktimin e ndotjes në një qytet ku njerëzit nuk mbyllin muajin.
Edhe ndërgjegjësimin mjedisor bashkia do të mjaftohet duke e bërë me disa aktivitete në shkolla apo gjoja informim për publikun dhe pas më shumë se 4 vitesh do të sjell hartën e ndotësve. Turizmi është një tjetër fushë pothuajse e harruar me një buxhet prej 68 milion lekësh në një kohë kur Shkodra më shumë se asgjë është një potencial për turizmin por bashkia nuk e mendon kështu.
Probleme të theksuara dhe që nuk gjejnë zgjidhje ka edhe tek programet e sportit qoftë për “Sport Klub Vllaznia” por edhe për klubin e futbollit. Edhe ky buxhet ndryshe nga sa pretendon bashkia është i dobët dhe pa një vizion konkret e zhvillimor.