Lutje dhe këngë kishtare janë kënduar gjatë procesionit nga katedralja “Shën Shtjefni” deri tek busti i Nënë Tereëz në qendër të qytetit të Shkodrës në kuadër të 3-vjetorit të shenjtërimit të bamirëses shqiptare. Të rinjtë e famullisë dhe disa besimtarë morën pjesë në procesion.
Famullitari i Shkodrës dom Vlash Palaj gjatë fjalës së tij përpara bustit të shenjtores tha se sot po kalojmë kohë të vështira dhe një prej fenomeneve që Nënë Tereza nuk do donta ta shihte dhe që nuk u pajtua kurrë në jetën e saj është heqja e fëmijëve ose abordi por edhe braktisja e tyre pasi lindin.
Dom Vlash Palaj u shpreh se abordi i një fëmije që nuk ka asnjë mundësi të mbrohet është një krim ndërsa e gjithë shoqëria duhet të reflektojë për të ndalur këtë fenomen ashtu siç bëri shenjtorja Nënë Tereza gjatë gjithë jetës së saj.
Një moment i veçantë ishte dhurimi i një tufe me lule në bustin e Nënë Terezës nga Leopold Shkreli i cili jo vetëm këtë radhë por kujdeset çdo ditë që t’i dërgojë lule shenjtores shqiptare tek busti i saj në qendër të Shkodrës.
Pranë bustit të shenjtores Nënë Tereza u përcollën edhe disa mesazhe përmes shprehjeve që la bamirësja shqiptare dhe fjalimeve historike të saj që goditën mbarë njerëzimin.