Një projekt për grykëderdhjen e lumit Buna në Velipojë synon restaurimin e ekosistemit atje si dhe zhvillimin social-ekonomik për banorët aty pranë. Projekti i fondacionit zvicerian MAVA quhet “Mbrojtja e lumit Buna” dhe do të zbatohet sëbashku me disa partner të tjerë. Ky projekt u prezantua nga fondacioni MAVA tek Administrata e Zonave të Mbrojtura në Shkodër. Sofia Tvaradze, mbikëqyresë e projektit tregon qëllimet.

“Projekti ka të bëjë me mbrojtjen e deltës të lumit Buna. Është i financuar nga fondacioni zvicerian MAVA dhe zbatohet nga unioni ndërkombëtar për ruajtjen e natyrës në bashkëpunim edhe me organizata të tjera. Qëllimi është që të përmirësojë nivelin social-ekonomik të komunitetit që jeton përreth zonës së mbrojtur të lumit Buna.

Ka në fokus edhe që respektimi, ruajtja dhe mbrojtja e lumit Buna të shkojë në harmoni me zhvillimin e resurseve. Qëllim është edhe restaurimi i sistemeve të zonës së mbrojtur ”.
Konstantin Gospodinov, koordinator i projektit shprehet se shpreson që projekti për mbrojtjen e lumit Buna të ndihmojë komunitetin si dhe të shërbejë për të mos lejuar më që problematikat e deritanishme ta dëmtojnë sërish.

“Ky projekt do të sjellë më afër komunitetin pranë zonave të mbrojtura. Shpresojmë ta ndihmojë komunitetin se si të shfrytëzojë zonat e mbrojtura përmes praktikave më të mira, jo vetëm të qëndrueshme por edhe në shërbim të ruajtjes dhe zhvillimit të lumit Buna dhe Velipojës.

Projekti kërkon të sjellë bashkë njerëzit dhe natyrën dhe të ketë mes tyre një bashkëveprim të ndërsjelltë: të mbrojmë por edhe të zhvillojmë zonën dhe veten. Këto ditë jemi duke informuar edhe komunitetet mbi këtë projekt dhe ta dinë që ekziston një mundësi”.

Thirrja për projektin e mbrojtjes të grykëderdhjes së lumit Buna është e hapur për të gjithë

“Thirrja është e hapur si për individë, organizata të shoqërisë civile, subjekte private, shkollat, universitetet dhe ka një fond limit që është rreth 150 mijë euro. Për individët kufiri është nga 2 mijë deri në 5 mijë euro, për organizatat e shoqërisë civile dhe subjektet private është deri në 10 mijë euro ndërsa favorizohet aplikimi në grupe në rastet kur preket më shumë se një temë sepse mundësia për të përfituar është edhe më shumë se 10 mijë euro në këtë rast.

Thirrja për këtë projekt zgjat deri në 23 shtator dhe aplikimet dorazi mund të dorëzohen tek Zonat e Mbrojtura këtu në Shkodër”.

Për shumë vite me radhë grykëderdhja e lumit Buna, një perlë e natyrës është lënë në harresë duke bërë që edhe të ketë dëmtime të ndryshme nga shumë faktor dhe tashmë ky projekt mund të ndikojë në një përmirësim sado të vogël.

Artikulli paraprakBASHA DHE KRYEMADHI: PROTESTA TË FUQISHME PËR RRËZIMIN E RAMËS
Artikulli tjetërVLLAZNIA VENDOS NJË NDESHJE MIQËSORE ME VELEÇIKUN