Shqipëria, Mali i Zi dhe Italia do të mund të lidhen përmes lundrimit ujor në liqenin e Shkodrës. Një projekt i financuar nga fondet e Komisionit Europian të programeve të bashkëpunimit ndërkufitar IPA pritet të ndërtojë tre mole në liqenin e Shkodrës në Shirokë dhe Zogaj. Ky projekt që përfshin edhe Malin e Zi dhe Italinë bashkë me Shkodrën u prezantua në sallën e këshillit bashkiak të Shkodrës në një dëgjesë publike me banorë të zonës dhe palë të tjera të interesuara.

Zhvillues i këtij projekti për Shqipërinë është Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Nada Zaimi përfaqësuese e FSHZH deklaroi se ky projekt që parashikon ndërtimin e tre moleve në liqenin e Shkodrës bashkë me investimet në Malin e Zi dhe Itali kap shifrën e 7 milion eurove prej të cilave 2.4 milion euro janë të parashikuara për pjesën shqiptare.

Projekti për ndërtimin e tre moleve në liqenin e Shkodrës për të rikthyer lundrimin dhe lidhjen me Malin e Zi dhe Italinë pas fazës së studimit dhe dëgjesave publike që po bëhet pritet që të nisë vitin e ardhshëm dhe mund të zgjasë deri në qershorin e vitit 2023. Projekti quhet “Shqipëria, Mali i Zi, Italia, Lidhja e Transportit Multimodal”.

 

Artikulli paraprak“TË HEQIM BARRIERAT PËR PERSONAT ME AFTËSI NDRYSHE”
Artikulli tjetërDITA BOTËRORE E AFTËSISË SË KUFIZUAR, MANASTIRLIU: MBI 163 MIJË PËRFITUES, REFORMA E AFTËSISË SË KUFIZUAR…