Shefi i stacionit të Policisë në Fushë- Arrëz, Izmir Duraku i arrestuar për përdhunim të një të miture jetime në 2015 e cila do denonconte një abuzim seksual është liruar. Në atë kohë Izmir Duraku punonte si polic në Shkodër kurse e mitura jetime prentendon se kur shkoi për të denoncuar abuzimet seksuale nga punonjës të Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër u përdhunua me dhunë nga Duraku.

Prokuroria e ka cilësuar si të paligjshëm arrestimin dhe se nuk ka prova duke liruar efektivin. Ndërkohë Izmir Duraku ka thënë se nuk ka koment për atë që ndodhi dhe pret të veprojë drejtësia. Duraku u përjashtua nga vetë Policia e Shtetit me urdhër të Ardi Veliut ndërsa ministri i brendshëm Sandër Lleshaj e dënoi rëndë këtë akt pas këtij arrestimi por Prokuroria tashmë vërteton krejt të kundërtën.

Shefi i Postës së Policisë në Fushë-Arrëz u ndalua mbrëmjen e 5 qershorit, pasi u dyshua se ka përdhunuar një vajzë brenda komisariatit. Ngjarja tronditëse ka ndodhur në vitin 2015, por është denoncuar së fundi nga vajza, në prani të një psikologu. Njoftimin për këtë ngjarje e ka bërë vetë Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave duke thënë se Shefi i Stacionit Policor Fushe Arrëz është i dyshuar për marrëdhënie seksuale me dhunë. SHÇBA njoftoi se bazuar në provat e mbledhura, ka dyshime të forta se në muajin prill 2015, vajza është ngacmuar seksualisht nga një punonjës policie në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër, kur efektivi ishte me detyrë Specialist i Hetimit të Krimeve në Shkodër.

Shtetasja kishte shkuar për të denoncuar për përdhunimin që i kishin bërë disa persona në 2015, punonjës të shtëpisë së fëmijës në Shkodër por ra pre e abuzimit nga vetë punonjësi i policisë. Ndërkohë autoritetet shtetërore dhe organizata jo fitimprurese kanë marrë në mbrojtje shtetasen duke e strehuar dhe duke u përkujdesur, në një Qendër Sociale.

Duke përfituar nga ky komunikim publik, SHÇBA i bëri thirrje çdokujt që është dhunuar apo ndihet nën presion, të denoncojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit apo Prokurorisë, si dhe pranë SHÇBA nëse evidentojnë shkelje të punonjësve të Policisë, në numrin 0800 90 90, duke garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë.

Artikulli paraprakLUAN RAMA: QEVERIA KA LËNË KISHËN E SKËNDERBEUT NË KEPIN E RODONIT NË MËSHIRË TË FATIT
Artikulli tjetërTIRANA ME “MANITA” DREJT TITULLIT, KUKËSI DËRGON PARTIZANI NË PLAY-OUT. BIE ZYRTARISHT FLAMURTARI