E qetë dhe pa probleme u mbyll protesta e dytë në Shkodër për vrasjen e shtetasit Klodian Rasha nga efektivi i policisë në Tiranë. Këtë radhë protestuesit nuk marshuan dhe qëndruan vetëm pranë bustit të “Luigj Gurakuqi” për të shmangur çdo incident të mundshëm. Në këtë mënyrë protesta u zhvillua paqësore dhe pa thyerje e djegie si radhën e kaluar në selinë e PS në Shkodër.

Protesta nisi në orën 11:00 në qendër të qytetit. Këtë radhë ishin një grup më i vogël protestuesish se sa herën e kaluar, një pjesë të trembur pas procedimeve që bëri policia vendore e Shkodrës dhe një pjesë që janë shprehur kundër akteve të dhunës. Pavarësisht kësaj një pjesë dolën sërish në shesh për të protestuar.

Kjo protestë zgjati vetëm rreth një orë ndërsa më herët policia vendore e Shkodrës ka marrë në mbrojtje prefekturën e qarkut Shkodër dhe selinë e PS për të shmangur çdo tentative dhune në këtë protestë të dytë. I vetmi moment ku kishte një tentativë ishte kur dy të mitur u shoqëruan nga policia vendore e Shkodrës pasi mbanin në dorë një shishe benzine me idenë për të shkaktuar sërish incidente.

Këtë radhë policia ishte në gatishmëri ndryshe nga protesta e kaluar kur protestuesit u lanë të lirë dhe arritën që të ndalojnë dy të miturit pranë gjykatës së shkallës së parë në Shkodër që është shumë afër godinës së Prefekturës që mbrohej me polic.

Derisa protestuesit u shpërndan plotësisht forcat e policisë ishin prezent në qendër të qytetit ndërkohë që të gatshëm kanë qenë edhe një grup i forcave “Shqiponja” dhe FNSH-së por të cilët kanë qëndruar të shmangur dhe nuk ishte e nevojshme ndërhyrja e tyre pasi protesta u zhvillua plotësisht paqësore dhe pa asnjë incident.

Tashmë duhet pritur nëse në vazhdimësi do të ketë protesta të tjera në qytetin e Shkodrës për vrasjen e të riut Klodian Rasha.

Artikulli paraprakSHKODRANËT SËRISH SOT NË PROTESTË, POLICIA RRETHON INSTITUCIONET
Artikulli tjetërFAZA E PARE, “YEEP SHKODRA” DIPLOMOHEN 30 TE RINJ