Partia Socialiste ka prezantuar sot kandidaten për kryetare bashkie në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.
Tanimë dihet që në radhët e Partisë Socialiste Majlinda Angoni do jetë kandidate për këtë post. Ajo u prezantua sot te shkodranët, ku i kërkoi t’i besonin votën për t’i kthyer Shkodrës ‘atë që i ka munguar për 30 vite’.
Ajo premtoi se, nëse zgjidhet në krye të Bashkisë së Shkodrës, do të punojë me prioritet për projekte që do të krijojnë një ambient të shëndetshëm për zhvillimin e komunitetit.
Kujtojmë se para pak ditësh, Angoni dha dhe dorëheqjen nga posti i Prefektes së Qarkut Shkodër.
Gara e 6 marsit në Shkodër pritet të jetë e fortë, ku Angoni do të garojë përballë Xhemal Bushatit që do përfaqësojë PD-në dhe Bardh Spahisë, kandidati i koalicionit ‘Shtëpia e Lirisë’.