Policia e Shkodrës ka arrestuar një shtetas i cili ka qëlluar brenda në shtëpinë e tij me armë zjarri. Në pranga ka rënë shtetasi Petrit Isaj, 25 vjeç, banues në lagjen “Guerrile” në Shkodër. Ka qenë ora 22:00 e natës së kaluar kur papritur brenda në banesën e tij shtetasi Petrit Isaj ka qëlluar brenda shtëpisë. Sipas burimeve nga vendngjarja 25 vjeçari ka brenda banesës ka shtënë në drejtim të tavanit të shtëpisë së tij pasi ka qenë në gjendje të dehur dhe i pavetëdijshëm për veprimin e tij të rrezikshëm.
Nga kjo ngjarje nuk ka të plagosur. Të shtënat kanë terrorizuar jo vetëm familjarët por edhe komshinjtë e tjerë të pallatit në afërsi të konviktit të shkollës Veterinere në Shkodër. Menjëherë qytetarët që kanë dëgjuar krismat e armës automatik kallashnikov kanë lajmëruar policinë. Policia vendore e Shkodrës mbërriti menjëherë në vendngjarje duke mundësuar arrestimin në flagrancë të Petrit Isaj.
Po ashtu efektivët përveç arrestimit kanë sekuestruar edhe armën e zjarrit me të cilën autori i kësaj ngjarje qëlloi brenda banesës së tij. Kanë qenë shërbimet e Forcës Operacionale Shqiponja të cilat kanë reaguar me shpejtësi duke arrestuar 25 vjeçarin. Pas mbërritjes së policisë shtetasi Petrit Isaj ka tentuar që të largohet dhe është hedhur nga lartësia nga kati i dytë në banesën e tij për t’i shpëtuar arrestimit por nuk ia ka arritur.
Autori i kësaj ngjarje sipas burimeve ka thyer njërën këmbë pasi është hedhur nga kati i dytë ndërsa menjëherë është neutralizuar dhe arrestuar nga forcat e policisë. Në vendngjarje ka mbërritur edhe një ambulancë e spitalit rajonal të Shkodrës për ta dërguar shtetasin Petrit Isaj drejt urgjencës për të marrë mjekim duke qenë se ka thyer këmbën.
25 vjeçari pas kësaj ngjarje dyshohet për veprën penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”. Policia e Shkodrës vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të ndodhur në lagjen “Guerrile”.