Kjo është dora e gjakosur e një turisti anglez në Shkodër. Teksa po ecte në rrugët e qytetit shtetasi nga Anglia u përball me një sulm të një qeni endacak. Në mënyrë të papritur qeni e ka kafshuar turistin në dorë duke i shkaktuar lëndim të konsiderueshëm. Menjëherë turisti pas kafshimit të beftë të qenit në rrugët e qytetit u paraqit me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës. 54 vjeçari u mjekua nga mjekët dhe infermierët të cilët i dhanë ndihmën e parë ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Fillimisht stafi mjekësor në urgjencë kur është paraqitur turisti anglez kanë menduar se ka tentuar vetëvrasje nisur nga plaga e shkaktuar në damarët e dorës por më pas kanë kuptuar se ishte kafshuar nga një qen rruge duke i sjellë edhe këtë lëndim teksa i dhanë edhe shërbimin mjekësor.

Ndërkohë qentë endacak në rrugët e qytetit të Shkodrës kohët e fundit janë shtuar ndjeshëm. Kjo temë u kthye në një debat në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak. Bashkia Shkodër ka parashikuar ndërtimin e një strehëze të dytë për qentë e rrugës për t’i minimizuar në mënyrë që të shmangen këto ngjarje si kafshimi i turistit të huaj, ngjarje e përsëritur, qoftë me shtetas jo shqiptarë por shpesh edhe me vendas. Aktualisht në Shkodër janë rreth 1 mijë qen endacak dhe strehëza e dytë që pritet të ndërtohet do të strehojë jo më shumë se 300.

Numri i kafshëve endacake në përgjithësi ka ardhur duke u shtuar për shkak të prurjeve të shumta nga qytete të tjera në drejtim të Shkodrës, në orët e vona të natës. Disa herë është kërkuar që policia vendore e Shkodrës të marrë masa për të mos lejuar transferimin e qenve në mënyrë të paligjshme nga qytetet e tjera në Shkodër por deri më tani nuk ka asnjë të proceduar edhe pse kjo formë vijon ende. Ndërtimi i strehëzave të qenve normalisht që e zbut praninë dhe rrezikshmërinë e tyre në rrugë por nga ana tjetër nuk është një zgjidhje përfundimtare në rast se nuk parandalohet sjellja e tyre nga qytetet e tjera në Shkodër.

Artikulli paraprakVLLAZNIA DËSHTON ME HAJDARIN
Artikulli tjetërSHTYPI I DITËS 5 GUSHT 2023