Prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni deklaron se reshjet e shiut dhe borës nga ajo çfarë pritet do të vijojnë në këtë qark. Pavarësisht reshjeve të dendura Prefektja Angoni shprehet se situata për momentin është e qetë dhe nuk pritet që të ketë përmbytje në zonën e NënShkodrës ndryshe nga sa deklaroi mbrëmjen e kaluar ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.
Prefektja Angoni thotë se nuk këshillohet lëvizja në rrugën e Qafë Thores që të çon drejt Thethit, në anën tjetër Mali i Shoshit që gjithashtu lidh Shkodrën me Dukagjinin si dhe nuk këshillohet lëvizja drejt Vermoshit për shkak se në këto akse ka prezencë bore.
Disa zona të qarkut Shkodër kanë mbetur pa energji elektrike.
Bashkitë e Qarkut Shkodër kanë detyrim ligjor që të kenë gati planin e emergjencave civile shprehet Prefektja Angoni në rast se do jetë e nevojshme.
Në dy ditët e fundit ka patur reshje të dendura shiu në qarkun Shkodër si dhe reshje bore në zonat malore. Nëse kushtet atmosferike nuk përmirësohen dhe vijojnë shkarkimet nga hidrocentralet, fshati Obot në njësinë Ana e Malit mbetet i rrezikuar për përmbytje.