Drejtuesja e partisë së re “Lëvizja për Ndryshim” Jozefina Topalli në një intervistë në “Studio e Hapur” në Star Plus Tv deklaroi se kjo forcë politike ka dy qëllime kryesore, përmbylljen e tranzicionit 30 vjeçar në Shqipëri dhe rrotacionin politik.
Ish kryetarja e Parlamentit dhe ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike Topalli u shpreh se ka krijuar forcën e saj të re politike sepse nuk mund të shkojë pas një modeli të dështuar sipas saj siç është lideri aktual i PD Basha.
E pyetur se cili është objektivi i saj në zgjedhjet e 25 prillit Topalli thotë se Lëvizja për Ndryshim do të bëhet një faktor për qeverinë e re. Topalli pranon të bëjë koalicion me PD por me kushtin që të mos jetë Lulzim Basha kryeministër por as Kryemadhi e LSI apo Rama.
Për kohën kur ishte numri dy i PD, Topalli ka një ndjesë për qytetarët edhe pse thotë se roli i saj ka qenë vetëm drejtimi i parlamentit dhe jo brenda qeverisë.
Ata që e sulmojnë sot Topallin nga PD në Shkodër por edhe jashtë Shkodrës sipas saj e bëjnë për të ruajtur vendet që kanë dhe për t’i dëshmuar Bashës këto sulme që i quan shpifje.
Jozefina Topalli ka një besim se forca e saj politike do të arrijë objektivat e vendosura në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ndërsa në Shkodër synon më shumë se një mandat deputeti.