Në dy vitet e fundit po shtohet ndjeshëm numri i të miturve që janë të përfshirë në krime të ndryshme. Ky shqetësim doli gjatë një takimi të organizuar nga UNICEF në Shkodër për një marrëveshje mes institucioneve të drejtësisë dhe pushtetit vendor për trajtimin e rasteve të fëmijëve në konflikt me ligjin me qëllim shmangien e vendimeve të gjykatave me dënim dhe dhënien e vendimeve alternative me shërbim prove.
Kryetari i gjykatës së shkallës së parë në Shkodër Arbër Çela tha se është rritur kriminaliteti tek të rriturit dhe se kjo situatë zgjidhet vetëm duke goditur fenomenin dhe jo duke dënuar të miturit.
Prokurorja e Shkodrës për të miturit Françeskina Lekani tha se vetëm gjatë vitit 2020 janë dërguar në gjykatë 33 të mitur ndërsa këtë vit deri më tani janë 23 të pandehur, çka tregon gjithashtu rritjen e numrit të të miturve të përfshirë.
Në emër të policisë vendore të Shkodrës, shefi i komisariatit Malësi e Madhe, Kujtim Gjoka u shpreh se deri më tani këtë vit janë 137 raste të miturish mes të cilëve të proceduar deri për vrasje apo edhe si dëshmitar ose autor të veprave penale.
Kjo ndërhyrje e iniciuar nga UNICEF me përfshirjen e institucioneve të drejtësisë dhe atyre vendore ka për qëllim që të arrijë zbatimin e kuadrit ligjor të drejtësisë miqësore ndaj fëmijës në nivel vendor si dhe mbështetjen e fëmijëve në konflikt me ligjin apo atyre që janë viktima, dëshmitarë të veprave penale përmes ofrimit të shërbimeve të ndryshme dhe integrimit të tyre në shoqëri.