Rruga Et’Hem Kazazi në qytetin e Shkodrës vazhdon të jetë totalisht e amortizuar prej më shumë se 30 vitesh. Përgjatë kësaj rruge e cila ka një gjatësi prej më shumë se një kilometer, qarkullimi është tepër I vështirë duke e bërë thuajse të pamundur kalimin nga mjetet motorike. Një situatë kjo e cila vit pas viti nuk po gjen zgjidhje pavarësisht shqetësimit të ngritur nga ana e qytetarëve.
Të zhgënjyer nga premtimet e bëra për rikonstruksionin e këtij aksi, banorët shprehen pas kamerave se e kanë humbur shpresen se një ditë institucionet përkatëse do të kujtohen mbi gjëndjen në të cilën ndodhet kjo rrugë. Ndërkohë situata në këtë aks vështirësohet edhe më shumë gjatë stinës së dimrit.
Gropat e mëdha mbushen me ujë duke bërë që të vështirësohet edhe më shumë kalimi si për të rriturit ashtu edhe për fëmijët të cilët do të shkojnë në shkollë. Institucionet përgjegjëse duhet të rikthejnë vëmendjen nga ky aks i cili është lënë në harresë të plotë prej vitesh. Këtë aks një numër i madh banorësh e përshkojnë çdo ditë, ndaj rikonstruksioni është shumë i nevojshëm.
Ndërkohë nëse segmenti Et’hem Kazazi do të rikonstruktohej , atëherë patjetër që do të ndikonte në përmirësimin e trafikut sidomos në hyrje të Shkodrës pasi lidh dy pjesë shumë të rëndësishmë të qytetit.