Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër në një kohë të shpejtë, brenda 7 ditëve, përfundoi suksesshëm operacionin për goditjen e një grupi trafiku të lëndëve narkotike. Grupin hetimor e drejtoi titullari i Prokurorisë, Ylli Pjetërnikaj.
Në datën 7 qershor 2018 Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër regjistroi procedimin penal mbi bazën e infomacionit të dhënë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër se shtetasi Ramadan Mustaf Dushaj,
i datëlindjes 03.10.1957 lindur dhe banues në fshatin Dobre të Malësisë së Madhe, organizonte veprimtari për financimin dhe transportin e lëndëve narkotike (marijuanë) në Qarkun e Shkodrës.
Nga infomacioni i marrë në rrugë operative ka rezultuar se shtetasi në fjalë kamuflonte veprimtarinë e paligjshme të tregtimit të lëndëve narkotike me aktivitet të grumbullimit dhe shitjes së produkteve bujqësore.
Sipas informacionit, shtetasi në fjalë kishte grumbulluar sasi të konsiderueshme lënde narkotike, për të cilën kërkonte treg shitjeje. Për këtë qëllim shtetasi Ramadan Dushaj mbante me vete mostra të lëndës narkotike, të cilën kërkonte ta shiste.
Me marrjen e këtij informacioni me autorizim dhe drejtim të Prokurorise së Rrethit Gjyqësor Shkodër, grupi hetimor lejoi aplikimin e metodave speciale të hetimit per sqarimin dhe zbulimin e këtij aktiviteti kriminal.
Si rrjedhojë më 15 qershor 2018, ora 23:54 punonjës të policisë të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pranë vendit të quajtur Kompleksi “Univers” kanë bërë kapjen në flagrancë të shtetasve:
Ardit Sali Haxhagici, i datëlindjes 15.03.1984 Shkodër
Bardh Simon Gostini, i datëlindjes 01.04.1981 Lezhë
Neritan Sulejman Saraçi, i datëlindjes 24.12.1967, Shkodër
Rezart Xhelal Çarçani, i datëlindjes 24.04.1984, Shkodër
Ramadan Mustafa Dushaj i datëlindjes 03.10.1957, Malësi e Madhe
Vilson Gjergj Ndoka, i datëlindjes 26.11.1991, Lezhë
Nderkaq, për efekt të veprimeve hetimore ka persona të shpallur në kërkim.
Gjatë kryerjes së veprimeve të para hetimore u gjet dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale një sasi prej 200 (dyqind) kilogramësh bimë e dyshuar si lëndë narkotike, dy pistoleta (armë zjarri), disa aparate telefonësh celularë, radio marrëse, automjete të përdorur nga autorët në veprime etj.
Veprimet e mëtejshme të fiksimit dhe kqyrjes së provave materiale u kryen nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër, të ndihmuar nga shërbime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë.
Nga veprimet e para hetimore të kryera rezultoi se shtetasi Vilson Gjergj Ndoka ishte person i shpallur më parë në kërkim pasi me vendimin me numër 769, të datës 20.10.1914 ndaj ketij shtetasi ishte caktuar masa e sigurimit personal “arrest në burg” për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes me dashje” mbetur në tentativë, në bashkepunim dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, të parashikuara nga nenet 76, 22, 25 dhe 278/2 të Kodit Penal.
Hetimet e këtij procedimi penal vijojnë me qëllim zbulimin e veprimtarisë së mëtejshme kriminale dhe personave të përfshirë në këtë veprimtari.