Thuajse kemi ardhur në gjysmën e muajit shtator por sërish hyrje daljet në pikat kufitare të Shkodrës me Malin e Zi vazhdojnë që të jenë të konsiderueshme.
Në këtë mënyrë vetëm gjatë 13 shtatorit brenda 12 orëve sipas të dhënave zyrtare në 3 pikat kufitare të Shkodrës me Malin e Zi kanë hyrë 953 turistë të ndryshëm, shifër kjo që gjatë fundjavave është edhe më e lartë.
Ndërsa numri i turistëve vijon të jetë në shifra pozitive ajo që mbetet problem është tentativat e emigrantëve të paligjshëm të cilët kërkojnë të kalojnë në pikat kufitare nga Shkodra drejt Malit të Zi.
Kështu vetëm gjatë ditës së djeshme në pikën kufitare të Muriqanit, Hani Hotit dhe Vermoshit janë 15 emigrantë të paligjshëm që janë kapur nga policia e kufirit. Në ditë të ndryshme këto shifra të emigrantëve nga vendet e treta janë edhe më të larta.
Ndërkohë që 15 janë kapur një ditë më parë sipas burimeve më shumë arrijnë të kalojnë ilegalisht kufirin duke mbërritur në Malin e Zi me qëllim për të shkuar në vendet e Europës së zhvilluar.
Sa i përket shtetasve shqiptare që kanë hyrë në pikat kufitare të Shkodrës janë 1878 të tillë ndërsa kanë dalë një numër më i madh shqiptarësh prej 2139. Hyrja e mjeteve shqiptare në dogana është 680 dhe dalja e tyre nga Shkodra drejt Malit të Zi është 734.
Ndërkohë vazhdon që të jetë më i lartë numri i shtetasve të huaj që hynë dhe dalin në tri doganat që ka Shkodra. Sipas të dhënave zyrtare gjatë 13 shtatorit brenda 12 orëve kanë hyrë 2366 shtetas të huaj dhe kanë dalë 2406 të tillë.
Sa i përket mjeteve janë 983 mjete të huaja që kanë hyrë drejt Shkodrës dhe kanë dalë 1121 të tilla në total. Edhe gjatë gjysmës së dytë të këtij muaji shtator në të cilin jemi pritet që shifrat e hyrje daljeve të shtetasve shqiptar,
atyre të huaj dhe hyrjet për qëllime turistike në doganën e Muriqanit, Hanit të Hotit dhe Vermoshit të jenë sërish të larta.