Kjo është Shiroka e mbuluar nga errësira. Një defekt në një kabinë elektrike në zonën turistike të Shirokës ka bërë që e gjithë ajo pjesë nga fillimi pas urës së vjetër të Bunës dhe deri në Shirokë të qëndrojë pa energji elektrike.
Zakonisht në orët e pasdites por edhe më vonë Shiroka ka lëvizje të konsiderueshme edhe në këto ditë të dimrit për shkak të qytetarëve të shumtë të cilët dalin për të ecur në këmbë, vrapuar apo edhe me biçikleta. Mbrëmë ajo zonë ishte e boshatisur për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
Ndërkohë përveç ndriçimit të rrugës edhe subjektet në Shirokë pjesa më e madhe e tyre janë detyruar që të mbyllin më herët duke qenë se nuk kanë patur energji elektrike por as klientët e përditshëm ndërsa në errësirë kanë qenë edhe shtëpitë e banimit. Ky problem ka vijuar për disa orë me radhë për shkak të defektit në një prej kabinave elektrike.
Pas ankesave nga shumë qytetarëve për errësirën në zonën e Shirokës dhe vështirësinë në ecje qoftë për mjetet motorike por edhe për këmbësorët Operatori i Shpërndarjes të Energjisë Elektrike është vënë në lëvizje për të mundësuar rikthimin e ndriçimit në rrugë si dhe energjisë për subjektet dhe banesat në Shirokë.