Shkarkohet nga detyra drejtori i Inspektoriatit te Kontrollit dhe Mbrojtjes së Territorit dhe Pyjeve në Shkodër Jetmir Lumaj. Shkak për shkarkimin e tij sipas burimeve është bërë një mjet me lënde drusore i cili është konstatuar përmes këtyre videove në zonat malore të Shkodrës. Prerja e drurëve është e ndaluar por mesa duket kohët e fundit persona të ndryshëm kanë vijuar të pashqetësuar prerjen e pyjeve duke e kthyer në një problem.
Pas konstatimit të mjeteve përmes videove është vendosur shkarkimi i drejtorit Lumaj për mungesë të efiçencës në punë. Prej kohësh është përfolur për prerjen e paligjshme të pyjeve në zonat malore të Shkodres por nuk ka patur ndonjë ndërhyrje. Në disa raste policia vendore e Shkodrës ka goditur këta persona por prerja e pyjeve ka vijuar nga të tjerë ndërsa ka patur momente kur është sekuestruar vetëm lënda drusore sepse autorët e dyshuar kanë braktisur mjetet e tyre në mes të rrugës.
Jetmir Lumaj ka vetëm pak kohë që është emëruar si drejtor i Inpektoriatit të Kontrollit dhe Mbrojtjes së Territorit dhe Pyjeve por nuk zgjati shumë në këtë detyrë duke u shkarkuar pas këtij rasti të provuar me video. Ky mjet është ndjekur përgjatë gjithë rrugës në itinerarin që ka zhvilluar duke provuar se ka lëvizur i lirë me lënde drusore të prerë në mënyre të paligjshme.
Kjo lëndë drusore përdoret nga një pjesë e qytetarëve për ngrohje në këtë periudhë të dimrit kur temperaturat janë të ulta për shkak se ka një çmim më të lirë se lënda drusore që importohet nga Mali i Zi kryesisht apo ndonjë vend tjetër. Tashmë duhet pritur se kush do të jetë emri që do të zëvendësojë Jetmir Lumaj në postin e drejtorit të IKMT Shkodër pas shkarkimit te tij.