Ata e duan botën, e duan jetën dhe gjithnjë janë me shpresën se një ditë do t’ia dalin. Sot është 3 dhjetori, dita botërore e personave me aftësi ndryshe.
Një aftësi ndryshe nuk mund ta diferencojë askend, përkundrazi është një mesazh për gjithë shoqërinë jo vetëm sfida e tyre e përditshme por edhe dashuria e mirësia që përcjellin bashkë me shumë virtyte të tjera që një pjesë e jona i kanë humbur.
Në këtë ditë të rëndësishme shkolla speciale “3 dhjetori” në Shkodër organizoi një aktivitet artistiko-kulturor nga vetë nxënësit të cilët këndojnë e recitojnë po aq bukur sa gjithë të tjerët.
Sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë për personat me aftësi ndryshe mungon në ditët e sotme për shkak të paragjykimeve e një sjellje të pamerituar ndaj tyre edhe pse mund të ishin familjari apo i afërmi i çdo kujt. Një mënyrë për të hequr këto stigmatizma prapanike është edhe ky aktivitet që në fokus ka sensibilizimin që këta fëmijë të mbështeten sepse ka plot shembuj që ia kanë dalë të jenë po aq të arritur sa gjithë të tjerët.
Nëse dikush ka dyshimin më të vogël për personat me aftësi ndryshe një përgjigje e duhur për t’i treguar se nuk kanë të drejtë është ky aktivitet i shkollës “3 dhjetori” në të cilin nxënësit tregojnë rritjen e tyre artistike nga viti në vit.
Vetëm një ditë në vit nuk mjafton për personat me aftësi ndryshe sepse përkujdesja dhe vëmendja ndaj tyre duhet të jetë e përdtishme në mënyrë që të nesërmen të jenë shembullorë e të aftë në punë, familje dhe kudo tjetër. Mjafton të mos heqim dorë dhe suksesi është i sigurtë.