Një shpërthim me lëndë djegëse ndodhi në orët e para të mëngjesit në qytetin e Shkodrës. Lënda djegëse u vendos tek një automjet tip audi ngjyrë e bardhë. Shpërthimi ndodhi rreth orës 4:10 të mëngjesit ndërsa automjeti ndodhej i parkuar në afërsi të teatrit “Migjeni”. Brenda automjetit nuk ishte askush por banorët e zonës kanë dëgjuar një shpërthim të fortë që për momentin i ka tronditur duke qenë se ngjarja ndodhi në qendër të qytetit të Shkodrës. Automjeti i sulmuar është në pronësi të shtetasit Bledar Freskina, banues në Shkodër. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet për këtë shpërthim.

Efektivët bënë të mundur sekuestrimin e kamerave të sigurisë nga objektet aty afër. Nga kçyrja e kamerave rezulton se një person me motorr dhe skafandë në kokë afrohet afër automjetit dhe hedh një shishe me benzinë dhe më pas largohet me shpejtësi. Pas pak sekondash lënda djegëse shpërtheu duke dëmtuar automjetin ndërsa disa pjesë të makinës përfunduan disa metra më tutje. Ndërkohë policia bëri të mundur edhe shoqërimin e shtetasit Bledar Freskina, pronari i automjetit. Në deklaratën e tij për efektivët Freskina u shpreh se nuk e ka idenë se kush mund të jetë autori. “Unë nuk e kam idenë se kush mund të jenë autorët. Nuk kam patur kërcënime ndaj edhe nuk mund të përcaktoj asgjë.

Nuk kam një ide konkrete se përse ka ndodhur ky shpërthim”, mësohet të ketë thënë Freskina. Ky i fundit sipas burimeve policore bëhet e ditur se është edhe pronar i një lokali afër vendit ku ndodhi shpërthimi. Po ashtu disa vite më parë ka qenë një person i proceduar në gjendje të lirë për baste online nga policia vendore e Shkodrës ndërsa nuk është dënuar nga gjykata. Policia po vijon hetimet për identifikimin e autorit të shpërthimit me lëndë djegëse si dhe më pas për gjetjen dhe kapjen e tij.

Artikulli paraprakPROMOVOHET LIBRI “MALL I PATRETUN”
Artikulli tjetërLEZHË, MAKINA DEL NGA RRUGA DHE PËRPLASET ME BARRIERËN ANËSORE, HUMB JETËN SHOFERI