Një zjarr ka përfshirë disa banesa në lagjen “Kiras” në qytetin e Shkodrës duke rrezikuar në disa prej tyre edhe personat që ndodheshin brenda.

Pas zjarrit të rënë të gjithë personat kanë dalë jashtë duke arritur që t’i shpëtojnë flakëve të zjarrit. Në shtëpinë që ra zjarri gjendej një nënë me tre fëmijë të vegjël të cilët fatmirësisht kanë arritur që të dalin dhe të gjithë kanë shpëtuar pa dëme.

Sapo bombola e gazit është përfshirë nga flakët nëna ka reaguar shpejt duke marrë tre fëmijët e vegjël duke ia dalë që t’i shpëtojnë flakëve.

Sipas burimeve zjarri ka rënë në një prej banesave si shkak i shpërthimit të një bombole gazi dhe më pas flaka është përhapur me shpejtësi edhe në tri banesat e tjera të cilat ndodheshin në një kulm me atë në të cilën shpërtheu bombula e gazit.

Fillimisht kanë qenë komshinjtë të cilët kanë tentuar të mos lejojnë përhapjen e flakëve por pavarësisht tentativave rrethanore bombola ka shpërthyer duke bërë që banesa të digjet plotësisht ndërsa në banesat e tjera janë djegur nga një dhomë secila.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur disa mjete të repartit zjarrëfikës të Shkodrës të cilët kanë ndërhyrë me shpejtësi duke arritur lokalizimin e zjarrit dhe shuarjen e flakëve. Në këtë ngjarje që mund të ishte kthyer në një tragjedi ka vetëm dëme materiale me një banesë të shkrumbuar dhe tri të tjera me nga një dhomë të djegur.

Tashmë ajo që mbetet pas kësaj ngjarje është ndihma që duhet t’i jepet nënës me tre fëmijët e vegjël të cilët kanë mbetur pa shtëpi pas zjarrit të rënë.

Artikulli paraprakSHKODËR, AMBASADORI I OSBE DY ORË TAKIM ME ADEMIN
Artikulli tjetërSHKODËR, KAPET ME 20 KG DROGË NË MURIQAN 27 VJEÇARI