Stuhia me erëra të forta dhe reshje shiu që përfshiu qytetin e Shkodrës dhe fshatrat e njësive administrative përreth një natë më parë ka sjellë jo pak dëme.

Përgjatë aksit rrugor Shkodër- Bushat, erërat, që sipas banorëve herë pas here krijonin vorbulla, kanë dëmtuar dhjetëra pemë në të dy anët e rrugës. Fatmirësisht, në këtë aks nacional nuk janë raportuar probleme me qarkullimin rrugor. Por ndryshe ndodhi në njësinë administrative Dajç. Raportimet e qytetarëve kanë sjellë në redaksinë e Star Plus pamje të bllokimit të rrugës në fshatin Pentar të kësaj njësie.

Sipas banorëve, një pemë dhjetëra vjeçare është thyer duke bllokuar totalisht kalimin e automjeteve. Është dashur ndërhyrja e banorëve të zonës për largimin e degëve nga rruga rurale. Ndërkaq në fshatrat Shirq dhe Dajç të kësaj njësie administrative bëhet me dije se ka pasur dëme në të mbjella si pasojë e erërave, por edhe uljes së temperaturave në mënyrë të menjëhershme. Sipas meterologëve, një situatë e tillë do të vijojë edhe gjatë dy ditëve të ardhshme me reshje shiu dhe erë.

Artikulli paraprakTË VERBËRIT NË SHKODËR PA INFRASTRUKTURË RRUGORE
Artikulli tjetërBASHKIA URDHËRON KSSH TË LIROI AMBJENTET