Komedia e zezë “Zona e Pritjes” e autores Marina Vujçiç me regji të Fatos Berishës erdhi si premierë në teatrin “Migjeni” në qytetin e Shkodrës.
Premiera u mirëprit nga publiku shkodran jo vetëm për mesazhin që jep kjo vepër por edhe lojën e aktorëve të teatrit “Migjeni”.
E gjithë ngjarja në këtë komedi është në një koridor ambulance ku njerëz të ndryshëm janë në radhë për një vizitë tek doktori dhe kur vjen momenti pjesa më e madhe janë të frikësuar.
Një grua është gjithë kohën aty duke kërkuar që të dijë jetën e gjithsecilit që është në pritje për t’u futur tek doktori dhe të gjithë tregojnë dramën e tyre familjare. Pritja kthehet në një makth dhe të gjithë presin një të nesërme më të mirë.
Regjisori Fatos Berisha shprehet se kjo komedi e zezë kritikon disa prej problemeve të shoqërisë tonë që i hasim çdo ditë.
Përveç Rita Gjekës dhe Simon Shkrelit tek “Zona e Pritjes” ishin edhe aktorët Nikolin Ferkata, Merita Smaja, Jozef Shiroka, Krist Lleshi, Linda Jarani,
Nancy Bakalli dhe Oliver Ymeri të cilët përmes një humori të zi sollën problemet e pafundme sociale që janë të zakonshme tashmë në Shqipëri siç është pritja e gjatë gati 30 vjeçare për një Shqipëri ndryshe.