Shtyllat ndriçimit, ato elektrike apo edhe mbajtëset metalike ku janë të vendosura emërtimet e rrugëve në qytetin e Shkodrës janë kthyer thuajse në një merimangë.
Është e pamundur të gjesh një nga rrugët kryesore të qytetit por edhe dytësore po të duash ku nuk gjen të vendosura në mënyrën më brutale tabela informuese të subjekteve të ndryshme.
Këto tabela në pjesën më të madhe te tyre janë vendosur pa marrë leje në drejtorinë përkatëse të bashkisë Shkodër.
Duke mos mjaftuar Inspektoriati Ndërtimor në bashki bashkë me drejtoritë e tjera përgjegjëse nuk kanë bashkërenduar aspak punën për t’i hequr këto tabela dhe për të vendosur një farë rregulli.
Disa herë janë zhvilluar aksione për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Shkodrës ndërsa asnjëherë nuk është menduar për heqjen e këtyre tabelave të cilat sjellin disa probleme të ndryshme.
Fillimisht të vendosura në këtë lloj mënyre siç i shihni patjetër që ndikojnë negativisht tek imazhi. Më pas në raste të ndryshme mund të shërbejnë për ç’orientim të atyre që mbase nuk e njohin mirë qytetin që mund të jenë turistët e huaj.
Ajo që është më kryesorja për të cilën bashkia nuk shqetësohet dhe kryesisht Inspektoriati Ndërtimor bashkë me drejtoritë e tjera përgjegjëse është se vijojnë të jenë të vendosura pa një leje përkatëse dhe pa një rregull apo sistemim etik për të ndikuar pozitivisht edhe tek imazhi.
Kjo nuk është një histori e re as për Inspektoriatin Ndërtimor apo drejtoritë e tjera përgjegjëse të bashkisë Shkodër sepse këto tabela vijojnë të qëndrojnë kudo në qytet, në qendër dhe periferi prej shumë kohësh.
Është e pakuptimtë se si asnjëherë nuk ka patur një shqetësim serioz për ktë që ndodh nën hundët e të gjithëve.
Inspektoriati Ndërtimor apo të tjerët merren me ca mure gjysëm të shembura herë pas herë ndërsa nuk pastrojnë shtyllat dhe mbajtëset metalike me emërtimet e rrugëve nga këto tabela subjektesh të vendosura mbarë e mbrapsht.