Kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi i ka dërguar një letër ambasadorëve në Shqipëri pasi sipas saj ka një tentativë që Ademi të shkarkohet si kryetare e shoqatës së bashkive nga kryebashkiakët e majtë. Kjo lëvizje sipas saj ka për qëllim zgjedhjen e një tjetër kryetari tek kjo shoqatë me qëllim tërheqjen e padisë që shoqata e bashkive ka bërë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me pavlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.
Në këtë letër kryebashkiakja ndër të tjera thotë se më 21 maj ka marrë një email të dërguar nga kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu me qëllimin që të organizojnë në mënyrë të paligjshme mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës së Bashkive dhe për të zëvendësuar në mënyrë të paligjshme organet drejtuese.
Ky veprim është në kundërshtim me statutin, pasi bashkitë kërkuese nuk janë anëtare të kësaj shoqate shkruan Ademi në letrën për ambasadorët. Kryebashkiakja Ademi sqaroi këtë letër të saj dhe tentativën e paligjshme siç e cilëson të shkarkimit.
Kryebashkiakja thotë se ajo që presin shqiptarët është që sa më shpejt Gjykata Kushtetuese të japë një vendim lidhur me zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019-të.
Letra e kryebashkiakes së Shkodrës Ademi drejtuar ambasadorëve përfundon duke thënë se “duke patur në konsideratë rolin tuaj të rëndësishëm në demokratizimin e shoqërisë shqiptare në përgjithësi, ndihmën tuaj në proceset zgjedhore dhe në reformën në sistemin e drejtësisë, ju ftojmë të ndiqni nga afër tentativat e paligjshme për të kapur Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë, si një shkelje e autonomisë lokale dhe të drejtave tona kushtetuese”.