Dy hajdutë kanë tentuar të vjedhin një argjendari në qendër të qytetit të Shkodrës. Hajdutët janë futur në dyqanin e berberëve përballë në afërsi të pedonales “Kolë Idromeno” dhe kanë tentuar që të çajnë murin ndarës mes argjendarisë dhe dyqanit të berberëve.
Nuk ia kanë arritur qëllimit dhe dy hajdutët janë larguar me shpejtësi për të mos rënë në gjurmët e kalimtarëve apo policisë. Berberi Rexhaj Keraj që është edhe pronari i dyqanit ku është bërë tentativa e vjedhjes të argjendarisë shprehet se është e disata herë që bie pre e hajdutëve. Pronari i dyqanit shprehet se tashmë ekziston një frikë për shkak të vjedhjeve të shpeshta. Vjedhjet janë një fenomen shqetësues në Shkodër ndërsa rastet vetëm sa shtohen duke sjellë pasiguri tek qytetarët.