Pas katër vitesh mungesë është rikthyer në Galerinë e Arteve në Shkodër çmimi Idromeno 2021 teksa konkuruan 8 artistë me punime video, fotografi, pikturë dhe instalacion. Në fund juria e përbërë nga Edison Çeraj, Sidi Kanani dhe Elsa Demo vendosën që fitues i çmimit Idromeno të shpallet Jonian Bisai me një video 24 minutëshe duke risjellë tragjedinë e Otrantos.
Bisai bëri një udhëtim me anije drejt Italisë me familjarët e viktimave të cilët u mbytën në Otranto gjatë përjekjes së tyre për të emigruar drejt shtetit italian duke vënë theksin jo vetëm tek dhimbja e kësaj historie të trishtë por edhe drejtësia e munguar 24 vite me radhë.
Artistja shkodrane Beskida Kraja e cila kishte rolin e kuratores në çmimin Idromeno thotë se ekspozita mori emrin Çfarë Mbetet e Pandryshueshme Gjatë Ndryshimit frymëzuar nga filozofia e Heraklitit.
Drejtori i Galerisë së Arteve në Shkodër Fatmir Juka shprehet se çmimi Idromeno është një hapësirë e munguar për artistët e rinj për të shprehur mesazhet e tyre për sfidat që po kalon shoqëria përmes artit.
Pjesë e çmimi Idromeno 2021 ishin edhe artistët Abi Shehi, Arjan Shehaj, Burim Berisha, Ergys Vela, Erjon Nazeraj, Fatlum Doçi, Xhovana Preçetaj dhe fituesi Jonian Bisai. Çmimi Idromeno nisi në vitin 2008 deri në 2017-ën ndërsa pati një shkëputje katër vjeçare duke u rikthyer sërish këtë vit.