Një sasi lëndë plasëse e dyshuar tritol shpërtheu në orët e para të mëngjesit në banesën e shtetasit Robert Gera në lagjen “Mark Lula” në Shkodër. Sipas policisë vendore të Shkodrës ngjarja ndodhi rrreth orës 03:36 të 28 korrikut. Nga ky shpërthim efektivët raportojnë se nuk ka persona të lënduar por vetëm dëme materiale. Menjëherë pas shpërthimit, policia e Shkodrës mbërriti në vendngjarje duke nisur veprimet e para hetimore. Në njoftimin për shtyp, efektivët bëjnë të ditur se pas veprimeve hetimore është shpallur në kërkim si autor i dyshuar shtetasi Luigj Martini. Ndërkohë policia mendon se ka edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe po punon edhe për identifikimin e më pas gjetjen dhe kapjen e tyre. Autorët pas vendosjes së tritolit janë larguar menjëherë në drejtim të paditur ndërsa policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të zonës përreth për të bërë të mundur zbardhjen e kësaj ngjarje.
Ndërkohë vetëm 4 minuta përpara shpërthimit të tritolit, në Shkodër u përfshinë nga një zjarr i dyshuar si i qëllimshëm dy automjete të parkuara në zonën e njohur si Çinari në lagjen “Kongresi i Përmetit”. Automjetet janë në pronësi të shtetasit Erdi Kraja i cili bashkë me familjen janë pronarë të një byrektore afër shtëpisë ku edhe ndodhi ngjarja. Automjetet e djegura janë tip “Benz dhe “BMË” të cilat ishin të parkuara njëra pas tjetrës poshtë banesës së shtetasit Erdi Kraja. Objektiv ka qenë automjeti tip Benz që pothuajse është djegur plotësisht. Efektivët zjarrëfikës mbërritën në vendngjarje duke bërë të mundur shuarjen e flakëve ndërsa bashkë me policinë vendore të Shkodrës nisën hetimet për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarje. Janë ende të paqarta motivet e djegies së dy automjeteve. Shtetasi Erdi Kraja ditët e fundit ndodhej në Itali për arsye familjare dhe është kthyer pasi ka mësuar për djegien e automjeteve. Të pyetur nga policia familjarë të tij kanë deklaruar se nuk kanë probleme me askend dhe e kanë të paqartë se përse janë djegur automjetet e tyre. Në momentin e djegies dy persona ende të paidentifikuar shfaqen të maskuar ndërsa policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe vijon puna për zbardhjen e plotë edhe të kësaj ngjarje.