Grupi antieksploziv mbërriti nga Tirana për të parë se çfarë ishte lënda plasëse e vendosur në mjetin e inspektorit të tatimeve Nehat Zaganjori. Pas ekspertizës rezultoi se është një sasi tritoli prej rreth 20-30 gram.

Kjo sasi tritoli ishte me magnet. Sipas burimeve ka qenë e ngjitur tek targa e makinës në pjesën mbrapa teksa mjeti i inspektorit ndodhej i parkuar para një lokali në afërsi të banesës së tij.

Patrulla e policisë i ka vendosur një gjobë mjetit në fjalë pasi kishte parkuar në kundërvajtje. Një i njohur i inspektorit ka dalë për të parë gjobën kur ka konstatuar në mjet lëndën plasëse.

Menjëherë ka njoftuar shtetasin Nehat Zaganjori duke qenë se e njihte. Ky i fundit bashkë me shokët e tij e kanë goditur me këmbë lëndën plasëse duke e hedhur në tokë ndërsa nuk ka shpërthyer në asnjë moment.

Më pas është njoftuar policia dhe është pritur ardhja e grupit antieksploziv nga Tirana. Fillimisht nga forma e saj dhe duke qenë se ishte e mbështjellë me një letër dukej si një granatë por rezultoi se ishte një sasi tritoli prej rreth 20-30 gram.

Makina nuk kishte më shumë se 45 minuta e parkuar në vendin e quajtur Ura Dervishbeg ndërsa tritoli është vënë re në një orë kur ka lëvizje të atë zonë, rreth orës 19:30.

Shtetasi Nehat Zaganjori ka deklaruar se nuk ka konflikte me kend dhe se e vetmja arsye e vendosjes së tritolit në mjetin e tij mund të jetë për shkak të detyrës si inspektor tatimesh në Shkodër.

Shpesh herë grupet e tatimorëve vendosin gjoba në subjekte të ndryshme dhe kjo ngjarje sipas inspektorit mund të jetë një sinjal kërcënues ndaj tij. Megjithatë nuk përjashtohen edhe disa pista të tjera lidhur me këtë ngjarje.

Disa persona janë shoqëruar për t’u pyetur më shumë si dëshmitarë duke qenë se ndodheshin në lokal por kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për autorin e vendosjes së tritolit duke thënë se nuk e kanë parë atë moment.

Policia po heton për zbardhjen e plotë, identifikimin, gjetjen dhe kapjen e autorëve.

Artikulli paraprak90-VJETORI I KARDINAL ERNEST TROSHANIT
Artikulli tjetërDEPUTETJA ULQINAKU I PËRGJIGJET ZV/KRYEMINISTRES