Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Shkodrës. Një sasi lëndë eksplozive e dyshuar si tritol ka shpërthyer në një mjet. Bëhet fjalë për shtetasin me inicialet N.B. Nga ky shpërthim me tritol nuk ka të dëmtuar në njerëz por vetëm dëme materiale. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:25 të mbrëmjes së djeshme bën të ditur në njoftimin e saj policia vendore e Shkodrës. Rrethanat e kësaj ngjarje sipas policisë janë ende të paqarta. Mjeti tip fouristradë X5 ku ka shpërthyer sasia e tritolit ndodhej i parkuar ndërsa nuk ka patur asnjë person brenda fouristradës.

Mjeti ku shpërtheu sasia e eksplozivit ndodhej i parkuar brenda murit rrethues të banesës së shtetasit N.B ndërsa është ende e paqartë se si e kanë vendosur autorët. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie duke bërë fillimisht rrethimin e zonës ku ndodhi shpërthimi dhe më pas kanë nisur veprimet e para hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje. Ndërkohë shtetasi Nazmi Bandula ka deklaruar për policinë se nuk e kanë idenë se kush e ka vendosur tritolin për shkak se nuk probleme apo konflikte me ndonjë person. “Unë sapo isha futur në banesë dhe pak minuta më përpara kam qenë brenda oborrit. Janë ngjitur në shtëpi dhe më pas ka shpërthyer. Nuk e kam idenë se kush mund ta ketë vendosur.

Fouristrada ime ka qenë e parkuar në oborrin e shtëpisë që në orët e paraditës. Kam dalë në mëngjës kam ngrënë diçka dhe më pas jam rikthyer në shtëpi dhe e kam lënë makinën aty brenda oborrit. Nga ai moment nuk e kam lëvizur më ndaj nuk e kam idenë se si mund të ketë ndodhur”. Ndërkohë nga shpërthimi nuk ka të dëmtuar por dëme të konsiderueshme materiale në mjetin tip fouristradë X5 si dhe banesë.   Sipas burimeve nga vendngjarje familjarët ndodheshin brenda në shtëpi në momentin kur ka shpërthyer sasia e dyshuar si tritol.

Ndërkohë dyshohet se mund të jenë të paktën rreth 300 gram lëndë eksplozive e vendosur tek mjeti që shpërtheu. Për policinë do të jetë e vështirë për ta zbardhur si ngjarje për shkak se në rrugicën në lagjen “Partizani” por edhe në shtëpinë ku ndodhu ngjarja nuk ka kamera sigurie. Dyshimet e forta janë se sasia e dyshuar e tritolit mund të jetë vendosur shumë përpara se të shpërthente kur mjeti ka qenë jashtë oborrit të shtëpisë për shkak se rrugica e banesës është e ngushtë si dhe shtëpia ka mur të lartë rrethues. Deri më tani nuk ka autor të dyshuar lidhur me këtë ngjarje të ndodhur ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë.

Artikulli paraprakKËSHILLTARI VJERDHA: BUXHETI I BASHKISË I TURPSHËM
Artikulli tjetërMBYLLET NDESHJA VLLAZNIA-SKËNDERBEU 5-1