Një aksident me pasojë vdekjen ndodhi në rrugën Shkodër-Hani Hotit. Shtetasi Lushë Qokaj, 62 vjeç humbi jetën teksa u përplas nga një automjet ende i paidentifikuar. Viktima po ecte në këmbë kur papritur është përplasur nga një makinë. 62 vjeçari mësohet se humbi jetën gjatë rrugës kur po transportohej në spitalin rajonal të Shkodrës. Sipas policisë vendore të Shkodrës automjeti që shkaktoi aksidentin është larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa nuk është identifikuar ende. Në njoftimin e saj policia bën të ditur se: “Më datë 29.10.2024, rreth orës 23:40, në fshatin Shtoj i Ri, shtetasi Lushë Qokaj, 62 vjeç, dyshohet se është aksidentuar nga një automjet ende i paidentifikur dhe si pasojë ka humbur jetën gjatë transportimit në Spitalin Rajonal Shkodër.
Vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit”. Menjëherë në vendngjarje pas këtij aksidenti me pasojë vdekjen mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet paraprake. Për shkak se drejtuesi i automjetit është larguar pasi shkaktoi këtë aksident fatal efektivët kanë nisur punën për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e tij. Në aksin Shkodër-Hanin Hotit policia ka sekuestruar disa kamera sigurie për të bërë kqyrjen e tyre me qëllimin identifikimin e personit që shkaktoi këtë aksident të rëndë.
Një prej shkaqeve që dyshohet se ka sjellë përplasjen e 62 vjeçarit Lushë Qokaj i cili humbi jetën ende pa shkuar në spital është edhe errësira në atë segment rrugor. Ndërkohë aksidentet rrugore në segmentin Shkodër-Hani Hotit vijojnë që të jenë të shpeshta dhe në shumë raste edhe me të vdekur ose të plagosur në gjendje të rëndë. Ky aks rrugor mbetet një prej njollave të zeza sa i përket aksidenteve në hartën e policisë vendore të Shkodrës. Aksidentet kryesisht vijnë nga mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, shpejtësia tej normave të lejuara apo përdorimi i celularit dhe konsumimi i alkoolit si dhe shkelje të tjera. Policia rrugore ka shtuar kontrollet dhe numrin e gjobave por sërish ndërgjegjësimi për drejtuesit e automjeteve vijon që të jetë i ulët duke shkaktuar këto aksidente të rënda me pasoja fatale në jetë njerëzish.