Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shkodër ka sekuestruar 20 kilogram peshk që po tregtohej në mënyrë të paligjshme. Ky aksion i AKU erdhi pas ngritjes së Task Forcës nga prefekti i qarkut Shkodër Valdrin Pjetri pak ditë më parë për të mos lejuar gjuetinë e peshkut në liqenin e Shkodrës dhe tregtimin e tij.
Kjo Task Forcë u ngrit në sezonin kur në liqen nuk lejohet gjuetia për shkak të shumimit të peshkut. Drejtorja e AKU në Shkodër Hasije Sadrija shprehet se peshku i sekuestruar prej 20 kilogram po tregtohej pa dokumentacionin përkatës.
Drejtorja e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shkodër ka një apel edhe për të gjitha subjektet që të plotësojnë kriteret për sigurinë ushqimore ose në të kundërt do të penalizohen.
Një thirrje drejtorja Sadrija ka edhe për bashkinë Shkodër që të monitorojë vendet e ndryshme në të cilat nuk lejohet tregtimi i produkteve ushqimore.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit një vëmendje do të ketë edhe përgjatë sezonit turistik duke zhvilluar kontrolle në Velipojë por edhe në zona të tjera turistike.