Gjatë takimit në Shkodër me institucionet e drejtësisë dhe të pushtetit vendor, Zëvendës përfaqësuesja e UNICEF në Shqipëri Edina Kozma tha se Shqipëria ka një legjislacion shumë të mirë për të miturit por sfidë mbetet zbatimi i ligjit nga institucionet.

Pak ditë më parë në Shkodër ishte një rast ku një 17 vjeçar i përfshirë në një ngjarje kriminale pak muaj më parë u lirua nga gjykata me qëllim për të kryer shkollën por pa kaluar shumë kohë plagosi një bashkëmoshatar me thikë duke treguar kriminalitetin në rritje tek të miturit.

Kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi iu referua këtij rasti duke thënë se bashkia e ka trajtuar dhe se kjo marrëveshje e iniciuar nga UNICEF shërben për të eleminuar dobësitë dhe hapësirat boshe të institucioneve.

Prefektja e qarkut Shkodër Majlinda Angoni përmendi se një shqetësim përveç rritjes së kriminalitetit mbetet abuzimi me të miturit përmes internetit.

Të miturit që përfshihen në ngjarje kriminale në Shkodër, një pjesë e madhe e tyre janë të ekspozuar sërish ndaj kryerjes së krimeve të tjera dhe ka patur shumë raste kur pasi kanë mbushur 18 vjeç janë kthyer në elementë të rrezikshëm kriminal për shkak të brishtësisë së institucioneve dhe mos zbatimit të ligjeve apo kodit penal për të miturit.

 

Artikulli paraprakSHKODËR, 700 VJETORI I VDEKJES I DANTE ALIGHIERIT
Artikulli tjetërSHKODËR, RRITET NDJESHËM KRIMINALITETI TEK TË MITURIT