Kur jemi para hapjes zyrtare të sezonit turistik, ende nuk janë marrë masat për të rritur sigurinë e përdoruesve të rrugës Shkodër – Velipojë që kalon nga fshati Bërdicë. Në gjatësinë e këtij segmenti rrugor, I cili është ndërtuar vitet e fundit mungojnë barrierat mbrojtëse në të paktën 18 pika, barriera këto të hequra nga banorët pasi vendosja e tyre I pengonte për t’u lidhur me tokat bujqësore.
Të gjendur përballë këtij fakti, ata kanë hequr barrierat për të mundësuar hyrjen në tokat që punojnë gjatë gjithë vitit. Heqja e tyre, rrit rrezikshmërinë e lëvizjes së këmbësorëve në këtë aks rrugor ku shpejtësia me të cilën lëvizin mjetet është shumë e lartë.
Gjatë verës, ku edhe fluksi I lëvizjeve në këtë aks rrugor shtohet, janë regjistruar me dhjetëra aksidente si shkak I mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor, si shpejtësia tej normave të lejuara apo parakalimet e gabuara. Kur me rritjen e temperaturave ka nisur të shtohet edhe numri I atyre që vizitojnë Velipojën, duket se institucionet përgjegjëse nuk kanë marrë asnjë masë për të ndërhyrë në zgjidhjen e këtij problemi, sa I takon rivendosjes së barrierave metalike mbrojtëse por edhe krijimit të një mundësie për banorët që duan të punojnë tokat e tyre.
Disa herë përmes mediave, banorët kanë kërkuar vëmendjen e institucioneve për zgjidhjen e këtij problemi, por edhe pas 3 vitesh, kjo vepër arti vetëm dëmtohet ndërsa institucionet mbyllin sytë përballë rrezikut që I kanoset banorëve të zonës por edhe udhëtarëve të rastësishëm.