Ka përfunduar kampionati i 81-të kombëtar i atletikës i zhvilluar për dy ditë me radhë në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Vllaznia u shpall kampione e Shqipërisë.
Dita e dytë nuk rezervoi ndonjë rekord ashtu si ditën e parë me Izmir Smajlaj në kërcim së gjati i cili kërceu 8.11 metër dhe theu rekordin që mbante po vetë më përpara me 8.3 metër.
Në ditën e dytë tentoi sprintieri i Vllaznisë Franko Burraj për të thyer rekordin kombëtar por nuk ia arriti, kjo edhe për shkak të erës të cilën shkodrani e kishte në disfavor kësaj radhe. Kryetrajneri i Vllaznisë Albert Marashi shprehet se Vllaznia e meritoi titullin kampion.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Atletikës Nikolin Dionisi u shpreh se vëmendja është e përqendruar tek tre sportistë Luiza Gega dhe dy shkodranëve Izmir Smajlaj dhe Franko Burraj.
Në këtë kampionat kombëtar kanë spikatur atletetet e reja të Vllaznisë. Erisa Rrasa edhe pse 15 vjeç ka arritur një rezultat pozitiv në kërcim së gjati me 5.74 ndërsa premton shumë për të ardhmen për t’u bërë ylli i ri i atletikës shqiptare.