Është arrestuar këtë të hënë autori i dyshuar i vrasjes së 47-vjeçarit P. T, të ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Grudë e Re në Shkodër.
Policia e Shkodrës bën me dije se në pranga ka rënë shtetasi E. K., 30 vjeç, lindur në Nicaj, Shosh dhe banues në fshatin Grudë e Re.
Arrestimi i tij u bë për veprën penale “Vrasja për gjakmarrje”, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dyshohet si autor i vrasjes së 47-vjeçarit Prekë Tonaj, për motive gjakmarrjeje. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, strukturat hetimore të DVP Shkodër vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për hetime të mëtejshme.