Vazhdimisht Star Plus ka ngritur shqetësimin për rënien e xhamave nga pallatet e megjithatë autoritetet përgjegjëse nuk kanë marrë asnjë masë. Në fakt në vendin tonë masat merren dhe shteti mobilizohet vetëm ateherë kur ndodh tragjedia. Një ndërtesë në afërsi të pedonales “Kolë Idromeno”, rrugica e cila të con tek kisha Franceskane paraqet rrezik për banorët që jetojnë aty e po ashtu edhe për kalimtarët e rastit.
Pamjet që po shikoni i përkasin kësaj të marte ku një xham ka rënë nga lartësia e ndërtesës sipas burimeve është rrezikuar një grua e cila po kalonte aty pranë në ato momente. Situata është mjaft e rëndë kur mendon se zona në fjalë është me dendësi të lartë banorësh dhe ky nuk është rasti i parë që xhamat shkëputen nga ky pallat.
Janë të paktën 10 raste të cilat janë të raportuara nga qytetarë të ndryshëm, e të bëra publike përmes mediave , por askush deri tani nuk po merr masa për parandalimin e ndonjë tragjedie e cila mund të ndodhe në cdo moment.
Madje vetë banorët e pallatit që ndodhet ngjitur këtij objekti kanë denoncuar disa herë këtë situatë dhe kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve përkatëse.Këto janë pamje të frikshme të cilat tregojnë edhe shkallën e lartë të rrezikshmërisë për të gjithë kalimtarët apo banorët që jetojnë në këtë lagje.