Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me plagosjen e 38-vjeçarit A.B, të cilit iu bë një atentat mbrëmjen e 9 marsit në Shkodër. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 18:30, në hyrje të Dobraçit në Shkodër. Policia dhe prokuroria kanë arritur që të identifikojnë mjetin me të cilin dyshohet se kanë kryer plagosjen autorët ende të paidentifikuar. Kjo makinë në foto, tip Benz me targë AA 066PZ dyshohet se është e autorëve dhe targa e saj rezulton e vjedhur në Tiranë që më 27 gusht të vitit 2020.

Policia vendore e Shkodrës bëri të ditur se rreth orës 18:30 në lagjen “Dobraç” në Shkodër në rrethana ende të paqarta u plagos me armë zjarri shtetasi me inicialet A.B, 38 vjeç banues në lagjen Dobraç i cili po udhëtonte me mjetin e tij tip Benz. Sipas njoftimit të policisë vendore të Shkodrës 38 vjeçari është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal fillimisht në gjendje të rëndë shëndetësore ndërsa ditën e sotme gjendja e tij sipas burimeve spitalore është stabilizuar për momentin.

38 vjeçari po udhëtonte me një mjet tip fouristradë kur papritur persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar në drejtim të tij duke e lënë të plagosur. Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie duke rrethuar zonën ndërsa vijon puna për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje.

Policia e Shkodrës tha se grupi hetimor shkoi menjëherë në vendngjarje duke vijuar punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, fiksimin e çdo prove të mundshme me qëllim identifikimin e autorëve. Bashkë me efektivët dhe grupin hetimor në vendngjarje ndodhej edhe drejtori i policisë vendore të Shkodrës Hamdi Fjora.

 

Artikulli paraprakSHKODËR, RRITJA E ÇMIMEVE, STUDENTËT NË PROTESTË
Artikulli tjetërSHKODRA PENALIZOHET PËR FESTIVALIN E KËNGËS POPULLORE