Shkodër/Zbulohen dhe sekuestrohen maska, paruke, jelekë antiplumb dhe kokore metalike si të Policisë, armë gjahu, municon luftarak dhe sende të tjera që dyshohet se do të përdoreshin nga grupe kriminale, për të kryer krime kundër personit dhe pronës.

Sekuestrohen edhe 1 kavanoz dhe 13 pako të mbushura me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, si dhe një sasi tjetër e kësaj lënde, e ndarë në doza, gati për shitje në afërsi të shkollave, lokaleve dhe në zona të ndryshme të qytetit të Shkodrës.

Zbulimi, bazuar në inteligjencën policore dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planet operacionale “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”.

Arrestohet në flagrancë 26-vjeçari që posedonte në banesë, sendet e kundërligjshme dhe lëndën narkotike.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme në kuadër të megaoperacioneve policore “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”, bazuar në inteligjencën policore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, kanë goditur një tjetër rast të furnizimit të personave apo grupeve kriminale, me mjete për të kryer krime kundër personit dhe pronës, si dhe një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave.

Në lagjen “Partizani”, shërbimet e Policisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Imazhi fals”, kanë ndërhyrë në banesën e 26-vjeçarit R. G., ku kanë gjetur dhe sekuestruar 7 jelekë antiplumb, 2 palë doreza, 3 maska, 2 paruke, municion luftarak, 1 kokore metalike, 1 armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme, si dhe sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore dhe procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi R. G., 26 vjeç, banues në Shkodër.

Strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e plotë të këtij rasti, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Artikulli paraprakRAMA: QEVERIA JONË S’PRANON LEKSIONE MORALE SE SI DUHET TË SILLEMI ME NATYRËN
Artikulli tjetërKURBIN/ KTHEU BANESËN NË ‘BAZË KRIMINALE’, DËSHMIA E PRONARIT: BLEJ DHE SHES SENDE PREJ VITESH, S’KAM LIDHJE ME GRUPET E KRIMIT