Maja e Zezë në njësinë administrative të Velipojës është përfshirë nga flakët pasditen e një dite më parë. Është ende e paqartë nëse është një zjarr i qëllimshëm edhe pse dyshimet janë të mëdha. Nga sa raportohet dëmet e shkaktuara në pyje tek Maja e Zezë në Velipojë janë të konsiderueshme. Fillimisht kanë qenë vetë banorët ata që kanë njoftuar mbi këtë
zjarr tek Maja e Zezë dhe më pas ka nisur vënia në lëvizje e strukturave. Fillimisht është menduar se një çoban ndodhej në zonën ku kishte rënë zjarri por më pas është konfimuar se në afërsi të flakëve nuk ndodhej askush dhe nuk kishte ndonjë rrezik në njerëz.
Pavarësisht kësaj ndihmuar edhe nga era në momente të ndryshme flakët e zjarrit kanë nisur të përhapen me shpejtësi. Pasi kanë marrë informacionin kanë qenë vetë disa nga banorët e zonës që kanë dashur të ndërhyjnë bashkë me Administratën e Zonave të
Mbrojtura, efektivët, zjarrëfikës dhe efektiv të policisë së shtetit. Pavarësisht tentativave ka qenë e pamundur që të ndërhyhet fizikisht për të fikur flakët e zjarrit si shkak i nxehtësisë nga temperature e lartë. Për këtë situatë të krijuar janë njoftuar pushtetit vendor në
Shkodër, prefektura dhe emergjencat civile. Të gjithë bashkë, edhe me banorët kanë monitoruar situatën në mënyrë që flakët të mos i afroheshin zonës së banuar. Aktualisht zjarri tek Maja e Zezë vazhdon ndërsa sipërfaqja e djegur ka shkuar në rreth 5 hektar por
është ende në pjesën e poshtme të tokës. Operacioni është ndërprerë në orët e vona të natës ndërkohë që 12 punonjës të Zonave të Mbrojtura bashkë me disa vullnetarë të zonës janë rikthyer në orët e mëngjesit dhe po mundohen që sërish ta mbajnë nën kontroll
zjarrin në mënyrë që të mos i afrohet banesave në fshatin Mali Kolaj që nuk është edhe aq larg. Deri më tani nuk është ndërhyrë ende nga ajri edhe pse emergjencat civile janë në dijeni të situatës ndërkohë që nëse zjarri përhapet më shumë dhe del nga kontrolli atëherë mund të ndërhyhet me anë të helikopterëve.