Ky është Arben Vatakani shtëpia e të cilit u shkrumbua plotësisht nga zjarri. 50 vjeçari do të duhet që këto ditë të ftohta t’i kalojë pa një strehë. Në natën e ndërrimit të viteve do të qëndrojë mes të katër rrugëve pasi zjarri dogji gjithçka në banesën ku 50 vjeçari jetonte i vetëm. Në këto kushte të vështira ai ka një apel për të gjithë ata që mund ta ndihmojnë për rikonstruksionin e banesës së tij.
Pak pasi kishte dalë nga shtëpia duke u bërë gati që të shkonte në punë, Arben Vatakani po pinte kafen e mëngjesit kur mësoi për zjarrin në banesën e tij. Ai shkoi me shpejtësi por ishte e pamundur për të bërë diçka sepse flakët ishin përhapur kudo.
Ky zjarr dyshohet se erdhi nga një shkëndijë elektrike si shkak i rrjetit elektrik të amortizuar. Pas zjarrit në këtë banesë në lagjen “Kiras” në qytetin e Shkodrës mbërritën efektivët zjarrëfikës të cilët bënë të mundur shuarjen e flakëve por shtëpia nuk arriti të shpëtonte.
Arben Vatakani jeton i vetëm ndërsa me të ardhurat që ka si punonjës i thjeshtë e ka të pamundur që ta rikonstruktojë. Ngjitur me shtëpinë që u dogj 50 vjeçari ka një ndërtesë me blloqe e mbetur përgjysëm vite më parë e cila në rast se gjenden persona për ta ndihmuar mund të përfundohet si shtëpi që Arben Vatakani të ketë një strehë për të jetuar.