Rreth 10 banesa në lagjen “Kiras” në Shkodër janë përfshirë nga flakët. Ngjarja ndodhi tek ish konvikti i shkollës veterinare i cili është kthyer në shtëpi banimi.
Në momentin e zjarrit familjarët kanë qenë brenda por sapo kanë parë zjarrin që përhapej me shpejtësi kanë dalë menjëherë jashtë për të shpëtuar.
Nga zjarri i rënë nuk ka të lënduar por vetëm dëme materiale për shkak se flakët kanë djegur një pjesë të këtyre shtëpive të banimit të cilat ndodheshin shumë afër njëra-tjetrës.
Paniku tek banorët teksa shihnin shtëpitë e tyre në flakë duke u djegur ishte i madh.
Tri mjete zjarrëfikëse mbërritën në vendngjarje ndërsa efektivët luftuan me flakët duke u munduar që ta neutralizojnë zjarrin ndërsa rreziku edhe për zjarrëfikësit ishte i madh.
Edhe vetë banorët u munduan që të japin ndihmën e tyre për shuarjen e flakëve.
Katet e dyta të banesave që u përfshinë nga flakët dhe pamundësia për t’u futu nga ndonjë anë tjetër ia vështirësoi punën zjarrëfikësve por megjithatë pas rreth një ore u arrit që zjarri të izolohet derisa u arrit në shuarjen totale të flakëve.
Shkak i këtij zjarri mendohet të jetë ndonjë shkëndijë elektrike si shkak i rrjetit të amortizuar.