Edhe në qytetin e Shkodrës është ndjerë zbritja e temperaturave nën zero. Star Plus bëri një vëzhgim në disa shkolla 9 – vjeçare të qytetit për të mësuar më shumë mbi kushtet e ngrohjes që ofrohen. Në disa prej tyre ka probleme.
Në shkollën 9 – vjeçare “Azem Hajdari” për shkak të pengesës për të hyrë në ambientet e brendshme të shkollës, Star Plus nuk mundi të sigurojë pamje të nxënësve në klasa.
Jashtë shkollës, nxënësit shprehen se ngrohja në klasa bëhet përmes gazit. Në fillim të vitit 2019 është bërë edhe rimbushja e të gjitha bombulave për të gjitha klasat ndërkohë që gazi është tejet i dëmshëm për shëndetin e fëmijëve.
Nxënësit e shkollës “Ismail Qemali” shprehen se shpesh herë ngrohja nuk është e mjaftueshme dhe atyre u duhet të veshin xhakoventot në orët e mësimit për të mos ndjerë ftohtin.
Për shkak të projektit të rikonstruksionit nga Ministria e Arsimit 4 vitet e fundit, në shkollën 9 – vjeçare “Xheladin Fishta” është vendosur sistemi i ngrohjes qëndrore me naftë.
Jashtë kameras, drejtori i shkollës bën me dije se fondi për funksionimin e kaldajës sigurohet nga Bashkia Shkodër dhe një pjesë prej 300 lekë në muaj në stinën e dimrit sigurohet nga prindërit e nxënësve për të zgjatur ngrohjen deri në ditët e para të pranverës.